
Braktisja e fshatit është një ndër problemet kryesore të bujqësisë shqiptare. Edhe pse ky sektor konsiderohet ndër më të rëndësishmit të ekonomisë shqiptare, me një kontribut prej 18.4% në Prodhimin e përgjithshëm kombëtar; me rreth 450 mijë të punësuar dhe me 1358 biznese aktive.
Por fermerët ankohen për shtrenjtimin e inputeve bujqësore që rrit kostot për ta, për mungesën e tregjeve dhe financimeve, si dhe mungesën e mbështetjes nga qeveria. Ndërkohë likuiditeti i munguar është edhe një ndër arsyet pse bujqësia shqiptare ka nivel të ulët të digjitalizimit.
Për eksperten Esmeralda Ballesha, edhe pse ka nisur ky proces ka ende vështirësi në këtë sektor. “Digjitalizimi është shumë pak i përdorur. Ka nisur të ketë disa projekte të reja. Edhe disa sisteme bankare kanë filluar të japin fonde të ndryshme që mund ta ndihmojnë, por ende është në nivele jashtëzakonisht të ulëta”, tha ajo në Business Neës në A2 CNN.
Inovacioni në bujqësi është i kushtëzuar dhe nga mungesa e kapitalit njerëzor, por dhe për shkak të emigrimit, kryesisht të rinjve. Fermerët dhe bizneset në bujqësi përdorin shumë pak gjetjet novatore, ndërkohë që në vendet e zhvilluara digjitalizimi dhe risitë e tjera e kanë çuar në një stad shumë të lartë zhvilluar bujqësinë dhe kanë rritur në nivele të konsiderueshme prodhimin. (A2 Televizion)