
Eranda Ymerali, eksperte për punësimin, e ftuar në A2 Business, u shpreh se nuk është vetëm paga arsyeja që shqiptarët po braktisin vendin.
Ekspertja evidentoi edhe situatën toksike në ambientet e punës. “Ka një dallim mes emigrimit të viteve ’90 dhe tani. Sot po largohen ata qytetarë që janë të shkolluar. Kjo kategori ka pritur që të ndodhnin ato ndryshime në vend dhe tani largohen për t’i gjetur jashtë. Ekziston edhe një atmosferë toksike brenda ambienteve të punës.
Në botë shtetet janë duke implementuar që koha javore e punës të jetë 4 ditë në javë dhe jo më 5, ndërsa në Shqipëri akoma nuk po stabilizohet që të punohet nga e hëna në të premte dhe fundjava të jetë pushim. Ka shumë persona që punojnë në fundjavë dhe nuk punohen sipas kodit të punës. Ka shumë elementë të tjerë që i bëjnë punonjësit të pakënaqur me atë që bëjnë dhe vendosin të japin dorëheqjen”, u shpreh ekspertja e punësimit. (A2 Televizion)