Liria ekonomike e shqiptarëve, korrupsioni endemik, por jemi më mirë se Franca dhe Italia

Nga A2 CNN
17 Shkurt 2022, 14:54 | Ekonomi
Liria ekonomike e shqiptarëve, korrupsioni endemik, por jemi më

Shqiptarët kanë liri ekonomike më të mëdha se sa francezët dhe italianët, edhe pse vetëm në letër. Ky është konkluzioni që nxjerr raporti i “Heritage Foundation”, që mat çdo vit të drejtat që kanë qytetarët e 177 shteteve të botës mbi biznesin, pronën dhe punën e tyre.

Në këtë indeks, Shqipëria ka përmirësim këtë vit dhe me 66.6 pikë, renditet e 50-ta, më mirë se sa të gjitha vendet e rajonit dhe shtete si Franca dhe Italia, dy vende të G7-s, që renditen përkatësisht në vendin e 52-të dhe 57-të. Madje, në indikatorë të caktuar, si rëndesa e taksave, shpenzimet qeveritare, liria e tregtisë dhe liria monetare, ia kalojmë edhe Gjermanisë. Me barrën tatimore veçanërisht si një aspekt me të cilin kryeministri Rama ka ftuar shpesh investitorët në vend.

https://a2news.com/2022/02/17/raporti-per-lirine-ekonomike-politikat-e-shqiperise-nuk-terheqin-investimet-e-huaja/

Në brendësi të raportit megjithatë, theksohet se të bërit biznes në Shqipëri është e vështirë.

“Praktikat informale të biznesit dhe proceset e parregullta të prokurimeve publike kontribuojnë në pasiguritë e biznesit. Kodet e punës nuk zbatohen në mënyrë të njëtrajtshme. Pjesa informale në punësim është më e larta në rajon”.

Raporti i “Heritage Foundation”

Raporti evidenton edhe probleme të tjera të shumta, si mbrojtja e dobët e pronës, manipulimi i drejtësisë dhe presioni i politikës dhe kërcënimeve në sistemin gjyqësor.

Integriteti i qeverisë vlerësohet ndjeshëm nën mesataren botërore, më keq se shtete të konsideruara diktatura si Ruanda dhe Bjellorusia. Ndërsa rritja ekonomike cenohet nga korrupsioni endemik, burokracia, shtrembërimi i konkurrencës dhe mungesa e transparencës.

“Me papunësi të lartë, rritje të plogësht dhe infrastrukturë të dobët, Shqipëria mbetet një nga vendet më të varfra të Europës”.

Raporti i “Heritage Foundation”

Por sërish, shqiptarët janë më të lirë ekonomikisht sesa francezët dhe italianët. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos