
4 muaj pasi 97-vjeçari, Leonid Stanislavskyi, tenist amator, realizoi ëndrrën për të luajtur me kampionin 21 herë fitues të trofeve Grand Slam Rafael Nadal, Ukraina u përfshi nga një luftë, larg imagjinatës së çdokujt, edhe për vetë Leonidin, që luftën nuk e përjeton për herë të parë.
Stanislavskyi, që mban sot rekordin botëror Guinnes si mashkulli më i vjetër në botë që ende luan tenis e merr pjesë në kampionate botërore, deri 2 javë më parë, ëndërronte të luante me zviceranin Roger Federer, por tani, shpresa e tij më e madhe është thjesht të mbijetojë.
Teksa shpreson që të arrijë të mbushë 100 vjeç, Leonidi tregon ku po i kalon ditët e luftës. “Isha në shtëpi. Lufta nisi në datë 24. Prej asaj dite nuk kam dalë më nga shtëpia. Kam qëndruar këtu. Njerëzit më mbështesin. Sponsorët më kanë dërguar furnizime. Kam mjaftueshëm. Frigoriferin e kam plot. Jam ulur në shtëpi, nuk do shkoj asgjëkund. Kam fjetur gjatë natës. Ime bijë Tania është në Poloni. Ajo do që unë të shkoj atje por kam vendosur të qëndroj këtu. Nuk kam dëgjim të mirë, ndaj natën kam fjetur rehat. Mbrëmjen e shkuar ka pasur bombardime dhe në mëngjes dëgjova sirenat e luftës. Në shtëpi kam një bodrum por nuk kam shkuar. Shtëpia ime ende nuk është prekur nga bombardimet, dritaret janë në vend dhe unë vazhdoj jetën normale. Ende ëndërroj të luaj tenis përsëri. Fati im është i lidhur me tenisin. Dua që lufta të mbarojë e unë të luaj përsëri tenis”, thotë ai.
97-vjeçari i mbijetoi Luftës së Dytë Botërore, kur ishte inxhinier që ndihmoi në ndërtimin e avionëve luftarak sovjetikë, për të luftuar nazistët. “Nuk e mendoja kurrë se do përjetoja një tjetër luftë në jetën time. Është një luftë e frikshme, ku njerëzit nga të dy anët po vdesin. Nënat po humbasin fëmijët, gratë po humbasin burrat dhe djemtë e tyre. Çfarë po ndodh kështu. Në shekullin e 21 nuk mund të ketë luftë. Lufta duhet të ndalojë. Një marrëveshje duhet të arrihet. Unë nuk kam frikë askënd, jam në shtëpi, nuk do shkoj askund, shpresoj që lufta të mbarojë”, thotë ai.
Për të, fundi i konfliktit, do të thoshte rikthimin e fushën e lojës apo garimi në kampionatin botëror të Floridas, në muajin prill. Leonidi ka luajtur për herë të parë tenis në moshën 30-vjeçare dhe nga ajo kohë, nuk është ndalur asnjëherë.
“Ëndrra ime më e madhe në jetë ishte të takoja Rafael Nadal. Askush nuk e kish menduar se çfarë do ndodhte, kjo është e tmerrshme. E gjithë bota, SHBA, Britania, e gjithë Europa duhet të bëjnë gjithçka për ta ndaluar luftën. Njerëzit nga të dy anët nuk mund të humbasin jetën kot”. (A2 Televizion)