Dilemat e arsimit, Shano: Fëmijët mësojnë përmendësh, nuk zhvillohet mendimi kritik

Nga A2 CNN
31 Janar 2022, 09:48 | Aktualitet
Dilemat e arsimit, Shano: Fëmijët mësojnë

Gjendja e arsimit në Shqipëri është një nga temat më të nxehta dhe që i rikthehet në mënyrë ciklike debatit publik, veçanërisht pas sondazheve që tregojnë se pjesa dërrmuese e të rinjve dëshirojnë të ikin jashtë vendit.  

Sipas analistit dhe ekonomistit Dritan Shano, “arsimi është një nga burimet kryesore të zhvillimit ekonomik, veçanërisht në shekullin e ri. Mënyra sesi ne sillemi me arsimin është ai i shekullit të 19-t­ë. Ne shpenzojmë në këtë fushë vetëm 2.5% të prodhimit kombëtar. Kjo tregon se kemi nevojë të investojmë sepse kemi nevojë të rrisim produktivitetin. Tregu në Shqipëri prodhon nga pikëpamja e edukimit diçka që ne nuk kemi nevojë, dhe ka nevojë diku tjetër, në rastin konkret, ne po investojmë në mjekësi, ndërkohë që Gjermania po na e merr atë pjesë të ekonomisë”.

 Sipas tij, “ne kemi shifrën më skandaloze në kërkimin shkencor, zhvillimi kërkohet përmes metodave shkencore.  Gjithçka që ndodh në arsimin shqiptar nuk ka lidhje me kohën. Formimi i mendjes ndodh nga 3 deri në 6 vjeç, dhe roli i parashkollorit është tejet i rëndësishëm. Mund të jetë i mirë universiteti, por pa një sistem të tillë është si të kesh një furrë moderne ku i futet miell misri, dhe pretendon të dalë bukë gruri. Ne nuk  e njohim esenë sot e kësaj dite, fëmijët nuk i shohin gjërat në mënyrë kritike, gjërat mësohen përmendësh, ka disa avantazhe, por nuk përkthehet në atë degë të rëndësishme të ekonomisë”.

Për analistin, i ftuar në A2 CNN, “me arsimin tonë, individi ka mundësi të integrohet në një treg të strukturuar, por këtu ai nuk prodhon dot një rritje të produktivitetit, që është shumatorja e sistemeve të ndryshme, si ai juridik, arsimor, shëndetësor. Prioritetet tona kombëtare nuk janë të artikuluara dhe të pranuara nga të gjithë. Po prodhojmë asete për ekonomitë e huaja. 68% të shqiptarëve duan të ikin nga Shqipëria, ndërkohë që arsimi duhej t’i shërbente zhvillimit brenda”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos