
Ligji për tatimin mbi të ardhurat, i cili parashikon ndryshime kryesisht te të vetë-punësuarit është thuajse gati.
“Do të dalë në konsultim publik javën e ardhshme”, deklaro ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj. Nga mbledhja e Këshillit të Investimeve, Ibrahimaj paralajmëroi gjithashtu disa ndryshime në procesin e konsultimit publik.
“Ndër to mund të përmend propozimet e Dhomave të Tregtisë për t’u bërë pjesë e konsultimeve publike aktet nënligjore që në fakt shoqërojnë detaje të rëndësishme mbi zbatueshmërinë e ligjeve”, vijoi ministrja.
Ndërkohë, drejtuesja e Sekretariatit të Këshillit të Investimeve, Diana Leka bëri një rezyme të ecurisë së institucioneve në drejtim të përmbushjes së rekomandimeve për krijimin e një klime më të mirë për sipërmarrjen private.
“Ka progres në lidhje me TVSH, pagesat digjitale, por kërkohet më shumë punë për sa i përket Kadastrës, dhe ministrive si ajo e Turizmit, Bujqësisë, etj.”, tha Leka.
Këshilli i Investimeve është një platformë konsultative e krijuar në vitin 2015 në kuadër të Memorandumit të Bashkëpunimit midis Qeverisë së Shqipërisë dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, me synim ndërtimin e një modeli dialogu ndërmjet sektorit privat dhe vendimmarrjes. (A2 Televizion)