Ligji i ri për SME, qeveria ndryshon kategorizimin e biznesit

Nga A2 CNN
30 Maj 2022, 15:37 | Ekonomi
Ligji i ri për SME, qeveria ndryshon kategorizimin e biznesit

Të mbash një biznes të vogël në Shqipëri është shumë e vështirë. Shpeshherë fitimi është shumë i vogël përballë kostove, e herë të tjera dyert e bankave janë të mbyllura për të marrë financim. Për këtë arsye, qeveria ka ndërmarrë një nismë për mbështetjen e këtyre sipërmarrjeve të brishta.

Në draftin e ligjit të ri për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, parashikohen format e mbështetjes si: fondet nga buxheti, mbështetje financiare nga donatorët, garanci sovrane për kredi dhe shërbime publike falas si këshillimi dhe trajnimi.

Por cilat janë efektet që pritet të sjellë ky ndryshim?

Aktualisht, ndër problematikat e mikro-ndërmarrjeve mbeten mungesa e financimit dhe mostrajnimi i stafeve, pengesa këto për zhvillimin e tyre të mëtejshëm në ofrimin e shërbimeve në treg.

Sipërmarrjet e vogla dhe të mesme përbëjnë mbi 90% të bizneseve në vend, kryesisht biznese familjare të cilat gjenerojnë jo më shumë se 8 milionë lekë brenda një viti. Ligji parashikon një kategorizim të ri për këto sipërmarrje, duke i ndarë në mikro, të vogla dhe të mesme. Mikro ndërmarrje do të konsiderohet një ndërmarrje me më pak se 10 persona të punësuar dhe bilanc total vjetor jo më të madh se 10 milionë lekë. Ndërmarrje e vogël quhet një biznes me më pak se 50 të punësuar dhe xhiro vjetore deri në 50 milionë lekë. E ndërsa ndërmarrje e mesme ato me 50 deri në 249 persona të punësuar, me një xhiro deri në 250 milionë lekë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos