
Qytetarët kuksianë duket se do ta kenë të vështirë ta sigurojnë ngrohjen gjatë periudhës së dimrit, i cili nuk do të vonojë të vijë më shpejt se në qytetet e tjera të vendit.
Shtrenjtimi i çmimit për një metër kub dhe mungesa e lëndës drusore për ngrohje, janë dy arsyet që parashikojnë një dimër të vështirë për kuksianët, sa i takon ngrohjes.
Ndërkohë prej dy vitesh në qytetin e Kukësit, nuk ka një pikë tregtimi të licencuar për shitjen e lëndës drusore me çmime të volitshme për qytetarët.
Kryetari i Bashkisë, Safet Gjici, shprehet se Bashkia është në pritje të firmave të licencuara, të cilat duhet ta tregtojnë drurin për ngrohje me çmime të arsyeshme.
Në qytetin e Kukësit gjatë dimrit harxhohen për ngrohje më shumë se 15 mijë/metër kub dru zjarri nga familjet, pa llogaritur këtu shkollat dhe institucionet parashkollore. (A2 Televizion)