Dita Botërore e Shëndetit, OBSH: Rrisni financimet për shëndetësinë, ulni kostot për qytetarët

Nga A2 CNN
7 Prill 2023, 15:31 | Aktualitet
Dita Botërore e Shëndetit, OBSH: Rrisni financimet për

Rritja e financimeve në shëndetësi dhe ulja e kostove për qytetarët shpëtojnë jetë. Ky është mesazhi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në ditën e shëndetit. Përfaqësuesit e saj në Shqipëri  bëjnë thirrje për  fuqizimin e sistemit parësor në mënyrë që shërbimet shëndetësore të jenë cilësore dhe më pranë qytetarëve.

“Evidenca tregon se sistemet shëndetësore të fuqizuara nga qasja e sistemit shëndetësor parësor janë mënyra më efektive për të sjellë shërbimet shëndetësore dhe mirëqenien më pranë njerëzve. Shqipëria, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale janë në proces për të fuqizuar shërbimin e kujdesit shëndetësor parësor. Ne shohim se investimi për një sistem shendetësor të fortë është thelbësore për një shoqëri të begatë. Rritja e financimit publik për shëndetësinë dhe ulja e kostove shëndetësore të paguara nga xhepi shpëtojnë jetë.”

Në 75-vjetorin e OBSH përfaqësues të saj tregojnë se si krizat e ndryshme jo vetëm shëndetësore, po shtojnë pasiguritë mes shteteve dhe individëve.

“Në këtë 75 vjetor bota është përsëri në mes krizash shëndetësore, ekonomike, energjike, ushqimore dhe klimatike. Këto kriza po krijojnë pasiguri midis shteteve, institucioneve dhe individëve. E drejta përshëndet është një e drejtë themelore e njeriut dhe se çdokush duhet të  ketë akses tek shërbimet shëndetësore që ka nevojë, ku dhe kur u nevojitet pa vështirësi financiare.”

OBSH shpreh mbështetje për Shqipërinë duke e vënë theksin te mbulimi universal shëndetësor. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos