
Mijëra mbështetës të Lëvizjes Vetëvendosje morën pjesë në tubimin e organizuar me rastin e 15-vjetorit të kësaj partie dhe 21-vjetorit të Çlirimit të Kosovës. Manifestimi nisi me intonimin e himnit shqiptar dhe nuk munguan as flamujt kuq e zi dhe këngët me ngjyrim politik.
Pas figurave të rëndësishme të Vetëvendosjes, fjalën e mori kreu I partisë, Albin Kurti, I cili falenderoi NATO-n për çlirimin e vendit 21 vite më parë. Ish-kryeministri pati edhe kritika e akuza të ashpra për presidentin, Hashim Thaçi, por edhe për rivalet e tij politik.
“Pas çlirimit nga okupatori i jashtëm erdhi një sundim nga brenda, njëherë përmes UNMIK-ut, e më pastaj përmes një kaste të politikanëve”, u shpreh Kurti teksa shtoi se në Kosovë, politikanët janë pasuruar përmes korrupsionit.
Ai gjithashtu kritikoi sistemin e gjyqësorit duke thënë se Kosova është një vend ku blihet drejtësia dhe pastrohen kriminelët. (A2 Televizion)