
Në eventin e organizuar në nder të infermierëve, Kryeministri Rama zbuloi dhe vendimin e parë që do të marrë qeveria në mandatin e tretë.
“Vajzat dhe djemtë e të gjithë njerëzve që i kanë shërbyer qytetarëve dhe shtetit dhe kanë rënë në krye të detyrës dhe fëmijët e të rënëve në krye të detyrës mes bluzave të bardha nuk do jenë vetëm pasi me këtë ligj të ri, për ta deri në ditën e daljes së tyre të pavarur në jetë do të kujdeset shteti në mënyrë të posaçme” premtoi kryeministri.
Në ditën e tyre, infermierëve, kryeministri nuk pranoi t’u merrte vëmendjen e për këtë refuzoi dhe çertifikatën e mirënjohjes të dhënë nga kryetarja e urdhrit.
Ambasadorja Kim, e pranishme në eveniment, përgëzoi infermierët për punën e palodhur, ndërsa shprehu mbështetjen e SHBA-ve për ta.
Mbështetjen për punën e tyre, infermierët e morën dhe nga ambasadori i BE, Luigi Soreca.
“Ne jemi të vetëdijshme se mungesa e stafeve për shkak të mbingarkesës janë çështje që duhet të adresohen, për të përmirësuar kushtet e punës dhe për t'i rritur ato profesionalisht dhe BE ju mbështet. Rreth 10 mln euro vetëm për vaksinat e emergjencat”, tha Soreca.
Soreca solli në vëmendje investimet e BE-së për shëndetësisë në vend, ndërsa shprehu vullnetin e mirë në ndihmë të sektorit. (A2 Televizion)