Rritja e ndihmës ekonomike, familjet në nevojë nuk plotësojnë as minimumin jetik

Nga A2 CNN
30 Nëntor 2021, 15:25 | Sociale

Skema e re e ndihmës ekonomike e mjaftueshme vetëm për të mbijetuar. Sipas të dhënave të përpunuara nga Shërbimi Social Shtetëror, pagesa mesatare e ndihmës ekonomike llogaritet në 9800 lekë.

Projektbuxheti i sapomiratuar nga qeveria për vitin e ardhshëm, parashikon një rritje 10% të ndihmës ekonomike për familjet në nevojë. Kjo ndihmë dyfishohet për familjet të cilat kanë mbi 3 fëmijë dhe një rritje me tre herë të ndihmës për gratë e dhunuara.

Në skemën që do të ofrohet për 64 mijë familje në nevojë, mbrojtje do të ketë dhe për fëmijët jetim. Për shtresat e tjera që kanë nevojë për mbështetje sociale, si pensionistët, personat me aftësi të kufizuar apo të papunët, nuk do të ketë përfitime shtesë.

Avokati i popullit këtë rritje nuk e konsideron një mburojë për më të varfrit, por një lëmoshë që nuk plotëson as nevojat e minimumit jetik. “Mendoj se politikat sociale që janë paraqitur nga qeveria në këtë projektbuxhet nuk janë në atë masë që të adresojë nevojat minimale të familjeve shqiptare”, tha ajo.

Sipas Bankës Botërore, Shqipëria është vendi që ofron ndihmën ekonomike më të ulët krahasuar me vendet e rajonit. Për krahasim, Kosova ofron mbështetje sociale 97,5 euro në muaj për familjet me më shumë se 3 anëtarë.  (A2 Televizion)

https://a2news.com/2021/11/30/shqiperia-pa-minumim-jetik-jetimet-marrin-20-euro-nga-180-te-domosdoshme/

A2 CNN Livestream

Latest Videos