
Kur numërimi mbrapsht për Kuvendin Kombëtar të 11 dhjetorit po përfundon, Sali Berisha do të ketë edhe një ndalesë të fundit.
Të mërkurën e 8 dhjetorit, në Ditën e Rinisë, lideri historik i demokrateve do të zhvillojë homazhe te shtatorja e Azem Hajdarit në Qytetin Studenti e përkrah tij do të jenë edhe ish-studentë të lëvizjes që solli demokracinë në Shqipëri. Ndryshe nga vitet e tjera në ceremoninë që organizohet nga “Grupimi i Dhjetorit 90” nuk ka një konfirmim të pjesëmarrjes së Lulzim Bashës.
Bislim Ahmetaj që drejton grupimin “Dhjetori 90”, tregoi për A2 CNN arsyet që e shtyjnë të jetë përkrah Sali Berishës në ditën e rinisë.
“Është asgjësuar pluralizmi shqiptar, parimet mbi të cilat u themelua liria e pronës, e besimit, janë të kufizuara. Është dhunuar vota që është e shenjt”.
Kuvendin e 11 dhjetorit e cilësoi si vullnetin e shumicës së demokratëve, ndërsa atë të datës 18 si një antimiting duke hequr edhe një paralele me ish-Partinë e Punës.
Në një ceremoni tjetër në orën 11:00, Fondacioni për Liri dhe Demokraci, pranë Partisë Demokratike, do të organizojë një event dedikuar Ditës së Rinisë në ArtTurbina, skenë e konsideruar nga demokratët si anti-Teatri Kombëtar, pas shembjes së godinës historike. (A2 Televizion)