
Në ditën e tretë të Kongresit të PS, organizatorët e tij i kishin menduar një hapësirë komunikimi me të rinjtë e Forumit Rinor të Partisë Socialiste ose siç njihet ndryshe FRESSH.
Kryeministri dhe kreu i socialistëve Edi Rama gjatë fjalimit të tij përpara të anëtarëve më të vegjël të partisë së tij tha se tashmë ka ardhur koha që edhe ky forum të ndryshojë. Sipas Ramës, FRESSH nuk mund të jetë më ai i kohëve kur u krijua, por duhet të përshtatet me sfidat dhe mundësitë e kohës.
“Çuarja përpara e organizatës së të rinjve duhet të lidhet me transformimin e modelit të organizatës me kushtet që jetojmë. FRESSH nuk mund të jetë më ai që ishte kur u krijuar. Ndryshimet janë të mëdha në jetën e të rinjve. Teknologjia e ka transformuar kaq shumë raportin e personit me realitetin dhe e ka shpërbërë idenë e kufijve të vegjël të vendit të vogël ku jeton, saqë është e pamundur të imagjinohet që FRESSH të vazhdojë me avazin e njëjtë që me të njëjtën rrugë të kërkojë një rezultat të ndryshëm”, tha kryeministri Rama.
Numri i një i qeverisë iu bëri thirrje të rinjve socialistë që përmes teknologjisë të mbërrijnë te qytetarët dhe t’i ftojnë ata për debate të frytshme dhe jo si ai që propozon presidenti Meta me të ashtuquajturën “Besëlidhja e 2 marsit”.
“Teknologjia për ne si PS është një instrument mes të cilit kemi shumë gjëra për të thënë, për të bërë dhe për t’ua vënë të tjerëve përpara dhe mundësisht t’i ftojmë të tjerët në debate që bëjnë sens. Nuk është debati Besëlidhja dhe BesëLikja. A ja me Besëlidhjen apo me BesëLiken! Kjo është humbje kohe. Ky vend nuk është peng i atyre që shfaqen në televizor sikur janë ata dhe pas tyre nuk ka tjetër. Transformimi i rrugëve tradicionale të komunikimit është sfida e FRESSH sot. FRESSH e ka një sëmundje që e kemi në organizata të PS dhe ajo është sëmundja e mbylljes dhe të kompeticionit për t’u zgjedhur”, shtoi Edi Rama. (A2 Televizion)