Djemtë "shembullorë" të burgjeve. Të dënuar për krime të rënda që përfituan ulje dënimi

Nga A2 CNN
15 Janar 2020, 19:38 | Kronikë
Djemtë "shembullorë" të burgjeve. Të dënuar

Indrit Dokle ishte i fundit nga disa prej emrave më të njohur të kronikës së zezë që janë liruar nga burgjet muajt e fundit. Nehat Kulla, Lul Caka, Gert Gjinarari, Elidon Kotorri, janë të tjerë ish të dënuar për ngjarje të rënda, emra të njohur të kaosit të vitit 1997, por që tashmë i kanë lënë qelitë.

Elidon Kotorri u lirua në gusht të një viti më parë. Ai akuzohej për krimin e trefishtë që ndodhi më 11 janar 2000, në afërsi të shkollës “Vasil Shanto”, dhe që kishte në shënjestër viktimën Andi Hasani. Përveç tij, në këtë atentat u vranë edhe dy të tjerë. Kotorri u dënua me burgim të përjetshëm, por mungesa e disa provava bëri që gjykata e të drejtave të njeriut të rikthente dosjen për rigjykim dhe Kotorri t’i shpëtonte burgut përjetë. 

Nehat Kulla u lirua në korrik të vitit 2019. Kulla drejtoi një ndër bandat më famëkeqe në Tiranë dhe në Shqipëri në vitin e mbrapshtë 1997. Ai ka shlyer në burgun e Fushë-Krujës dënimin 20-vjeçar për vrasjen e Halim Gjuzit në vitin 1998 në Golem, shoferi i ish-ministrit të Brendshëm, Halit Shamata.

Krimet e Lulzim Cakës datojnë nga viti 1995 me vrasje. Nisur nga lidhjet e krijuara, Caka në vitin 1997 u bë tmerri i udhëtarëve në rrugët nacionale Berat-Fier dhe Berat-Lushnjë. Ngjarja e mbetur në kujtesë është ajo e nënës së tij Xhevrie Caka. Pasi shkoi për të takuar të birin që ndodhej i arrestuar në Fier, gruaja u rrëmbye në derën e komisariatit të policisë në vitin 1999 dhe u gjet e masakruar në pyllin e Semanit. LulzimCaka u betua për hakmarrje. Ai u arratis nga burgu dhe në mes të fshatit Samaticë ekzekutoi dy nga autorët e vrasjes së nënës së tij.

Gert Gjinarari, bashkë me Arben Grorin, vranë në Itali 22 vite më parë Naim Zyberin. Gjinarari u dënua me burgim të përjetshëm në Itali, por me sjelljen e dosjes në Shqipëri ai kërkoi gjykim të shkurtuar, duke pranuar të gjitha aktet e akuzës, çka e çoi dënimin përjetë në 25 vite burg.

Një tjetër emër i njohur u lirua nga Gjykata e Elbasanit në dhjetor të një viti më parë. Viktor Ymeri ishte dënuar me 25 vite burg për vrasjen e Arben Pajës e Ilir Xhungës. Viktor Ymeri konsiderohej nga policia dhe prokuroria si një nga njerëzit më të afërt të Gazmend Brakës, i njohur ndryshe si Gaxhai, i dënuar me burgim përjetë.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos