
Politologu Shkumbin Beqiri, në një lidhje direkte me “Ditari” në A2, deklaroi se “Kushtetuta e Kosovës nuk e thotë që duhet të lësh postin e Presidentit nëse je i dyshuar”, por, sipas tij, “do të ishte morale që Hashim Thaçi të jepte dorëheqjen që kur u njoftua aktakuza, siç bëri edhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj”.
“Thaçi duhej të prezantohej para gjykatës si njeri i thjeshtë, pa post”, tha Beqiri.
Në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi, Beqiri u shpreh: “Deri më tani, janë rreth 60 marrëveshje të nënshkruara në fusha të ndryshme dhe jemi në një pikë ku Bashkimi Evropian, pavarësisht angazhimit, dyshoj në qëllimin e tij për të arritur një marrëveshje përfundimtare mes palëve. Problemi qëndron në marrëveshjen e parimeve që parashikon krijimin e një asociacioni të komunave serbe në Kosovë, që dëmton funksionalitetin e sistemit politik në Kosovë. Pala kosovare duhet t’i shmanget një marrëveshjeje përfundimtare që do të prishë ekuilibrat në Ballkan. Nëse arrihet kjo marrëveshje, Serbia do të krijojë një avantazh të madh në rajon”.
Kur u pyet mbi qasjen e kryeministrit shqiptar Edi Rama, Beqiri nënvizoi: “Ka luajtur një rol shumë të mirë në momente të caktuara, ku e ka prezantuar çështjen e Kosovës si realitet politik që duhet ta pranojë edhe Serbia. Por, duhen krijuar marrëdhënie institucionale të qëndrueshme që nuk varen nga individë të caktuar”.
Sipas Beqirit, vizita në Kosovë e kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i ngjan asaj të Edi Ramës para se ky i fundit të bëhej kryeministër: “Para se të bëhej kryeministër, edhe Edi Rama ka bërë vizitë në Kosovë. Asokohe, Rama bëri një vizitë tipike elektorale, duke i premtuar kosovarëve njohje nga disa shtete, mes të cilave edhe Rumania. Pak a shumë është i njëjti skenar”. (A2 Televizion)