
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas kthimit nga Haga, ku u intervistua për 4 ditë nga 6 orë, u është adresuar qytetarëve të vendit. Ai ka thënë se gjatë kësaj jave, për katër ditë rresht, ka kryer detyrimin e tij qytetar dhe institucional për t’u paraqitur para prokurorëve në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Edhe pse nuk dha detaje në lidhje me pyetjet që i ishin bërë, Thaçi përsëriti se historia e lavdishme e luftës çlirimtare dhe e shtetformimit të Kosovës së pavarur nuk mund të rishkruhet nga askush. “Sot ju them me bindje se ky proces jo vetëm që nuk do ta rishkruajë këtë histori të shkruar me gjakun dhe sakrificën e një populli të tërë në luftën për liri, por përkundrazi, nga ky proces, cilado qoftë rrjedha dhe kohëzgjatja e tij, historia e lavdishme e rezistencës, mbijetesës dhe triumfit mbi një pushtues, që kërkoi të shfaroste popullin shqiptar të Kosovës nga faqja e dheut me fshesën e fashizmit etnik, do të bëhet njëherë e përgjithmonë e paprekshme nga askush”, tha ai.
“Ky proces do të vulosë njëherë e përgjithmonë rolin historik të UÇK-së si një rol i pazëvendësueshëm dhe i patjetërsueshëm për lirinë e fituar për të gjitha gjeneratat që do ta gëzojnë Kosovën si shtet të pavarur dhe demokratik. Këto përbuzje etnike, maltretimi i shqiptarëve qysh në barkun e nënës, sjelljet gjenocidale kundër popullit me të drejtë historike mbi këtë tokë, represioni i kulmuar me spastrim etnik deri në përmasat gjenocidale do të jetë një prej faqeve më të errëta të së shkuarës, që kurrë më nuk do të mund të rikthehet”, shtoi Presidenti. (A2 Televizion)