Thaçi përfundon intervistimin në Hagë: Tani është në dorën e Prokurorit dhe Gjykatës

Nga A2 CNN
17 Korrik 2020, 09:08 | Kosova
Thaçi përfundon intervistimin në Hagë: Tani

Në ditën e katërt në Hagë, Presidenti i Kosovës doli nga ndërtesa e Prokurorisë së Posaçme pas 7 orësh, ku u intervistua mbi pretendimet për krime lufte.

Thaçi u shpreh se tani i mbetet prokurorit dhe gjykatës që të vlerësojnë me paanshmëri dhe me mendje të hapur dëshminë e tij.

“Për katër ditë me radhë pata mundësinë të jap sqarimet e mija për të gjitha çështjet që ndërlidhen me aktivitetin tim gjatë periudhës së luftës dhe përpjekjet e mija për paqe, stabilitet, zhvillim dhe progres. Gjatë këtyre katër ditëve jam munduar të jap dhe sqaroj informacione për rolin tim, përgjegjësitë e mia gjatë luftës, gjatë periudhës që mbulon pra mandati i Gjykatës Speciale.

“Tani i mbetet prokurorit dhe gjykatës që të vlerësojnë me paanshmëri dhe me mendje të hapur dëshminë time. Në rast se ata bëjnë një gjë të tillë në mënyrë profesionale të paanshme dhe të ndershme, ata lehtë mund të vijnë në përfundimin se unë nuk kam bërë asnjë lloj krimi apo shkelje të pretenduara. Në çdo rast, më lejoni të theksoj se lufta jonë ka qenë e drejtë sepse ka qenë luftë për liri, pikërisht që ka qenë luftë e drejtë ne kemi pasur mbështetjen e botës demokratike SHBA-së, BE-së dhe të NATO-s, rrugëtim ky që ka zgjatur i suksesshëm, i përbashkët tash e dy dekada dhe do të jetë i përjetshëm. Pikërisht përpjekjet për të rishkruar e ritheksoj historinë, përpjekjet për të njollosur luftën tonë të drejtë janë gjithashtu përpjekje për të njollosur intervenimin humanitar të NATO-s në Kosovë. Por e vërteta e jonë e dhimbshme dhe krenare është e pastër si loti ndërsa historinë tonë nuk do të mund ta ndryshojë askush, ajo është e drejtë e pastër dhe jemi krenarë”, tha ai.

Prokuroria e Posaçme, më 24 qershor, 3 ditë para takimit që ishte planifikuar në Shtëpinë e Bardhë mes Prishtinës dhe Beogradit, publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj tij dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos