“Do t’iu pushoj të gjithëve nga puna!”, Tom Cruise shpërthen ndaj stafit që theu protokollin anti-Covid

Nga A2 CNN
16 Dhjetor 2020, 10:44 | Showbiz

Tom Cruise është i xhindosur me stafin që po xhiron filmin e tij të fundit, “Mission: Impossible 7”, pasi kanë thyer protokollin e koronavirusit, raporton “New York Times”.

Aktori nuk dëshiron që prodhimi i filmit të shtyhet më tej, pas vonesave që kanë ndodhur deri tani për shkak të pandemisë. “Po krijojmë mijëra vende pune. Nuk dua ta shoh më këtë sjellje! Kurrë! Dhe nëse e përsërisni, jeni të pushuar!”, citohet t’u ketë thënë Cruise pjesëtarëve të stafit. Biseda fillimisht u publikua nga tabloidi britanik “The Sun”, e më pas u konfirmua nga “New York Times”, nga dy burime që ishin pranë produksionit të filmit.

Seria e 7 e filmave Mission Impossible raportohet se po xhiron këto ditë në Londër, pasi më parë ka qenë në Venecia. Pikërisht, në qytetin italian, në shkurt, xhirimet u ndalën për shkak të përhapjes së koronavirusit atje. Puna rifilloi në shtator me trupën që është spostuar nga Italia, në Norvegji, e tashmë në Britani. Në tetor, xhirimet u ndalën sërish pasi 12 pjesëtarë të stafit dolën pozitiv në testin e koronavirusit.

Filmi i gjashtë, “Mission: Impossible — Fallout”, u shfaq në kinema në vitin 2018 dhe arkëtoi 791 milionë dollarë në të gjithë botën. Edhe ai u xhirua në Europë dhe pati vonesa, për shkak se Cruise theu kaviljen duke xhiruar një skenë ku përplasej pas murit të një godine. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos