
Për thuajse 18 vite qyteti i Prizrenit në gusht ishte plot, me artistë e kineastë nga e gjithë bota, në emër të “Dokufest”.
Festivali i filmit të shkurtër dhe atij dokumentar u bë i njohur në të gjithë botën për mënyrën e organizimit, për kinemanë që ofronte në ambiente të hapura, për netët me muzikë live pas prezantimeve e për mënyrën se si kurohej një festival filmi në një vend të vogël si Prizreni.
Shumë shpejt ekrani i kinemasë së Prizrenit u rendit ndër më të bukurit në botë.
Këtë vit, “Dokufest” mbajti frymën dhe ashtu sikurse shumë festivale filmi në botë ai u zhvillua online. 90 produksione kinematografike të shkurtra dhe në zhanrin e dokumentarit nuk janë pak. E Prizreni i ka mirëpritur edhe këtë edicion të 19, krijimet e artistëve nga 51 vende të ndryshme të botës, për të kurorëzuar si fitues filmin “65 roses”.
Në këtë film të regjisorit maqedonas Murat Zherka, rrëfehet historia e një vajze nga Kosova që vuan nga një sëmundje e mushkërive, por që gjen forcën për ta bërë të bukur çdo ditë sfiduese që i takon të jetojë.
Duket se juria ballkanike këtë vit e ka vlerësuar një film si një produksion që rrëfen edhe historinë e kërcënimit të botës nga një virus që prek mushkëritë e gjithkujt.
“Dokufest” shpalli fitues në garën Truth, filmin “Collective” nga kineasti rumun Alexander Nanau, ndërsa çmimin për filmin më të mirë në garën ndërkombëtare e mori filmi i shkurtër “Sun dog” nga Dorian Jespers. (A2 Televizion)