
Opozita kundërshtoi vendimin e Konferencës së Kryetarëve për diskutimin në Komisionin e Jashtëm të dy rezolutave për dënimin e gjenocidit Serb në Kosovë të propozuara nga dy grupimet e Partisë Demokratike. Sipas demokratëve, ky vendim është në kundërshtim me rregulloren dhe rezolutat duhet të diskutohen në seancën plenare të radhës.
“Kërkesat për mocion me debat dhe rezolutë nuk kalojnë në Komisionin e Jashtëm. Unë jam i gatshëm të bisedoj me kolegun, s’ka nevojë fare për Komision të Jashtëm”, tha Tritan Shehu. “Kur u vendos? Unë jam anëtar i konferencës dhe nuk është diskutuar. Projektrezoluta, sipas rregullores, e ka të qartë se cilat janë hapat proceduralë”, u shpreh Enkelejd Alibeaj.
Por anëtarja e Komisionit të Jashtëm, Mimi Kodheli, tha se, pavarësisht problemeve brenda opozitës, do të dilet me një dokument të përbashkët, që pritet të votohet seancën e ardhshme parlamentare. “Nuk kuptoj më se kush nga kampi opozitar thotë çfarë. Por jam i sigurt që do të arrijmë një rezolutë të përbashkët, edhe me konsensusin e kampit opozitar, në mënyrë që të kemi një rezolutë me dakordësinë e shumicës dhe një pjesë të opozitës, që të dalim me një dokument që mbase mund të jetë edhe një dokument historik”, tha ajo. (A2 Televizion)