
Nëse do të jetë Ilir Meta apo Monika Kryemadhi në krye të LSI-së këtë do ta përcaktojnë strukturat e kësaj force politike, pavarësisht padurimit për rikthimin e ish-liderit. Erisa Xhixho shpjegoi në studion e Debatit në A2 CNN, qëndrimin e saj përsa i përket zhvillimeve në parti dhe konventën e pritshme të 25 korrikut, duke besuar në rikthimin e Metës.
“Do të jetë vendimmarrje e strukturave të LSI, nuk di ta them, nuk di as vizonin e Metës, as qasjen e tij. Ai është ende president në detyrë duhet të jetë ai që vendos. LSI ka padurimin e saj për rikthimin e Metës si faktor i rëndësishëm. Presidenca e tij nuk ka qenë e lehtë, mungesa e Gjykatës Kushtetuese, ishte i vetëm kundrejt regjimit dhe të gjitha sfidat i ka fituar. Çdo faktor, çdo qytetar i shërben vendit sidomos në këtë moment kur mazhoranca ka kapur çdo gjë. Uroj shumë që ajo konventë dhe vendimmarrja e saj të shënojë shumë për LSI e të ardhmen e saj dhe besoj që ridimensionimi, hapja dhe rikthimi i Metës do të japë një opozitë të fortë LSI-së”.
Duke e konsideruar të rëndësishme konventën e 25 korrikut të LSI-së, Xhixho theksoi se kjo forcë politike ka nevojë të hapet më shumë për të qenë një opozitë e fortë.
“Duhet të hapet më shumë, të vazhdojë të përkrahë të rinjtë vajzat e gratë të çojë deri në fund kauzat dhe të jetë e vërtetë deri në fund. Në këtë moment që ndodhet vendi, Shqipërisë i nevojitet një opozitë e fortë. Hapje drejt akademikëve dhe figurave të mira. Zgjedhjet vendore do të jenë mundësi shumë e mirë për të kthyer legjitimitetin lokal”.
Sipas Xhixhos ndryshimi i elitave dhe forcave politike është i pamundur në Shqipëri me ndryshimet kushtetuese në 2008, prandaj thekson se rikthimi i çdo faktori opozitar është vlerë për opozitën
“Besoj që rikthimi i çdo faktori opozitar në terrenin e sotëm është vlerë e shtuar për opozitën. Do të kishim dashur ndryshim elitash por partia e Veliajt dhe PD bënë ndryshimet kushtetuese që favorizon partitë e mëdha dhe debati që do të bëhet për ndryshimin e elitave janë të pamundura të çajnë përpara. Ne kemi 107 mijë vota dhe përfaqësohemi me 4 deputetë dhe forca të tjera me më pak përfaqësohen nga 3 deputetë ky është thelbi i debatit”.
Sa i takon protestës së opozitës, Xhixho thekson se opozita duhet të jetë përtej emrave, që është rikthimi i shpresës dhe ndërgjegjësimi qytetar.
“Unë shkoj përtej emrave të zotit Meta e Berisha pasja e një opozite e rikthimit të shpresës e alternativës si mund të kthejmë shpresën dhe kjo është sfida tjetër e opozitës që kjo të pjesë edhe pjesën gri. Për mua është e rëndësishme sa qytetarë ndërgjegjësohen për të protestuar e reaguar dhe besoj sa më e vërtetë e realiste është opozita”. (A2 Televizion)