Dorëheqja e Johnson, konservatorët nisin garën për zgjedhjen e pasuesit

Nga A2 CNN
8 Korrik 2022, 14:34 | Bota
Dorëheqja e Johnson, konservatorët nisin garën për zgjedhjen

Gara për të zëvendësuar Boris Johnson i cili u dorëhoq të enjten, ka filluar tashmë në partinë konservatore. Tom Tugendhat është ligjvënësi i fundit që bëhet pjesë e betejës për lidershipin, duke iu bashkuar prokurores së përgjithshme, Suella Braverman, si dhe mbështetësit të Brexit, Steve Baker.

Gazeta “Time” raporton se edhe ish-ministri i Financave, Rishi Sunak, do të marrë pjesë në garën për kryetarin e ri, duke e portretizuar veten si kandidat serioz për kohëra serioze, dhe me pretendimin se është i vetmi kandidat me integritet.

Sajid Javid, ish-sekretar i Shëndetësisë dhe sekretari për Transportin Grant Shapps të cilët gjithashtu u revoltuan ndaj Johnson, po konsiderojnë të kandidojnë. Emra të tjerë që po lakohen janë ai i ministres për punët e jashtme Liz truss, sekretarit të mbrojtjes, Ben Wallace, dhe ish-sekretarit për punët e jashtme, Jeremy Hunt.

Johnson planifikon të mbajë detyrën e kryeministrit deri në emërimin e pasuesit në vjeshtë, ndërsa ka krijuar një kabinet të ri. Por partitë opozitare dhe disa konservatorë i kërkojnë që të largohet tani. 

Laburistët kanë kërcënuar se do të përpiqen ta largojnë menjëherë përmes një votëbesim, por një hap i tillë do të kërkonte mbështetje të konsiderueshme mes konservatorëve për të pasur sukses. Një afat kohor për zgjedhjen e kryetarit të ri të konservatorëve do të konfirmohet javën e ardhshme me pasuesin e Johnson që pritet të marrë frerët në muajin shtator.

Më shumë se 60 parlamentarë konservatorë hoqën dorë nga funksionet qeveritare gjatë ditëve të fundit. Duke folur për kabinetin e sapoemëruar, Johnson premtoi se nuk do ta shfrytëzonte kohën në Downing Street për të bërë ndryshime të mëdha. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos