
Rusia është gati për bisedime me ministrat e Jashtëm turk dhe ukrainas për çështjen e grurit të Ukrainës. Kështu deklaroi ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, në prag të Samitit të Ministrave të Jashtëm të G20 që po zhvillohet në Bali të Indonezisë.
“Ne jemi gati për negociata me kolegët tanë ukrainas dhe turq. Ne i kemi të gjitha zgjidhjet. Nëse po flasim për grurin ukrainas, Ukraina duhet të zhbllokojë portet e saj, t'i pastrojë ato ose të sigurojë kalimin e sigurt nëpër fusha të minuara dhe jashtë ujërave territoriale të Ukrainës, Rusia dhe Turqia janë të gatshme të garantojnë sigurinë e anijeve në fjalë dhe t'i çojnë ato në ngushticat, pastaj ato do të shkojnë vetë në Mesdhe”, tha ministri Lavrov. Më pas, ai vuri në dukje se rolin kryesor në këtë çështje e luan ushtria, sepse skema e propozuar përfshin përdorimin e forcave detare.
Por ai i bëri thirrje Perëndimit që duhet të ndalojë bllokimin e furnizimeve ruse të grurit.
"Gjithçka që nevojitet është që Perëndimi të ndalojë artificialisht dërgesat tona në vendet që kanë blerë drithërat tanë", tha ministri.
Më tej, ai shtoi që nëse Perëndimi dëshiron fitoren për Kievin, atëherë nuk ka asgjë për të folur.
"Nëse vendet perëndimore duan të mposhtin Rusinë në fushën e betejës në konfliktin në Ukrainë, atëherë nuk ka asgjë për të folur me ta. Me këto qasje Ukraina nuk lejohet të kalojë në procesin e paqes". (A2 Televizion)