"Dosja 184", hetimi i zgjedhjeve në Dibër "ngec" te përgjimet

Nga A2 CNN
29 Korrik 2020, 20:40 | Kronikë
"Dosja 184", hetimi i zgjedhjeve në Dibër "ngec"

Dosja e famshme nr. 184 mbi hetimin e krimeve zgjedhore të dyshuara si të ndodhura në zgjedhjet e vitit 2016 në Dibër është ende një dosje e hapur. Pas ping-pongut mes prokurorive, dosja që trazoi politikën në vend pas publikimit nga BILD të përgjimeve të saj, ndodhet në duart e prokurorëve të Dibrës.

 Në regjistrat e këtij institucioni dosja, që ka në brendinë e saj përgjimet telefonike të personazheve politikë të mazhorancës aktuale qeverisëse, është regjistruar si procedimi penal nr. 385 i vitit 2019. Burime pranë prokurorisë së Dibrës konfirmuan për A2 se hetimi ndodhet në fazën e zbardhjes së përgjimeve telefonike.

Sipas burimeve nga 53 CD me përgjime në total, deri më tani janë zbardhur më shumë se gjysma e tyre. Ngadalësia në transkiptimin e bisedave të përgjuara vjen edhe për shkak të stafit të vogël të Prokurorisë Dibër.

Dosja 184 u regjistrua fillimisht nga Prokuroria për Krimet e Rënda pas një kallëzimi të Partisë Demokratike, për dyshime mbi shitblerje të votës në zgjedhjet e Dibrës, kur fitues doli Muharrem Rama i PS përballë Sherefedin Shehut të PD.

Në vitin 2019 gazeta gjermane Bild publikoi disa nga përgjimet e saj, duke shkaktuar reagime të forta për shkak se protagonistë në to ishin ish-ministra dhe zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos