
Prokuroria e Tiranës kërkoi një dënim me 1 vit e 6 muaj burg për ish-deputetin demokrat, Ervin Salianji. Sipas pretencës së lexuar këtë të martë, ish-deputeti dhe tre të bashkëpandehurit në proces kanë inskenuar audio-përgjimin “Babalja”, duke konsumuar kështu vepren penale të “kallëzimit të rremë”.
Dy prokurorët e çështjes ishin në një mendje për fajësinë e Salianjit, por jo për dënimin përfundimtar. Prokurori Kolë Hysenaj kërkonte dërgimin e tij në qeli. Ndërsa prokurori tjetër, Genci Qana kërkonte që Salianji të mos shkonte në burg, por për 3 vjet të mbante kontakte me Shërbimin e Provës, kohë gjatë së cilës nuk duhet të kryejë asnjë vepër penale.
Për Albert Veliun, i njohuri me nofkën “Babalja” u kërkuan 3 vjet e 6 muaj burg. Për Fredi Alizotin, i akuzuar si aktruesi i zërit të vëllait të ish-ministrit të audio-përgjim u kërkuan 3 vite burg. Një vit burg ishte kërkesa e prokurorisë për gazetarin Jetmir Olldashi, por më tej u kërkua konvertimi i këtij dënimi me 200 orë punë të papaguar në interes të publikut.
Më herët, përmes një materiali prej 18 faqesh prokurorët rindërtuan gjithë historinë e çështjes “Babalja”. Sipas tyre, ish-deputeti Salianji i ka premtuar 200 mijë euro Albert Veliut nëse i sillte prova komprometuese për vëllain e ish-ministrit të Brendshëm. Por sipas hetimit, në pamundësi, Veliu ka inskenuar audio-përgjimin duke përdorur si aktor Fredi Alizotin. Leximi i pretencës u ndoq nga dhjetra ish-deputetë të Partisë Demokratike. (A2 Televizion)