Dosja “Kajmaku” mbërrin në Prokurorinë e Tiranës, të premten KQZ shqyrton verifikimet e organit të akuzës

Nga A2 CNN
30 Tetor 2019, 12:34 | Politikë
Dosja “Kajmaku” mbërrin në Prokurorinë e

Dosja e kryetarit të Bashkisë Vorë, Agim Kajmaku, ka mbërritur në Prokurorinë e Tiranës, pasi deri tani ishte në zyrën e Kryeprokurores Arta Marku.

Dosja i është deleguar Prokurorisë së kryeqytetit e cila ka në juridiksion Bashkinë Vorë. Ndaj të zgjedhurit vendor parashikohet të ngrihet akuza e falsifikimit, ndërsa ende nuk dihet se çfarë pozicioni do të mbaje Prokuroria në lidhje me pretendimet e tij, për vendimin për pafajësi të shpallur në shtator nga drejtësia greke për akuzat e ngritura. Kajmaku nuk e ka deklaruar se ka qenë i proceduar penalisht në shtetin grek në formularin e dekriminalizimit duke shkelur ligjin për dekriminalizimin.

Ndërkohë, të premten, për Kryebashkiakun e Vorës do të mblidhet edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili do të shqyrtojë edhe rezultatet e verifikimit të Prokurorisë së Përgjithshme për Kajmakun.

Më herët, ishte Partia Demokratike që i kërkoi KQZ-së të shkarkonte kryetarin e Bashkisë së Vorës. Në kërkesën e firmosur prej Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Gazment Bardhi, Partia Demokratike kujton se për këtë vepër të kryer nga Agim Kajmaku, ligji parashikon humbjen e menjëhershme të mandatit dhe dënimin e tij me deri në 4 vjet burg. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos