Dosja “Toyota”, belgët nuk pushuan hetimin, si nisi në 2018 dhe pyetjet për Bashën

Nga A2 CNN
11 Shkurt 2022, 15:35 | Kronikë
Dosja “Toyota”, belgët nuk pushuan hetimin, si nisi në

Hetuesit belgë, të cilët prej disa ditësh, janë në Shqipëri pritet të marrin në pyetje të tjerë persona që kanë dijeni lidhur me 3,4 milionë eurot e konfiskuara në dosjen e “Toyota Yaris”. Për shumën e parave, deklarime do të japin dhe 6 të hetuarit në vitin 2018 ndërsa i dënuar për mosdeklarim të ardhurash është Ervis Vladi si pronar i shumës së parave.

Në të njëjtën dosje është dënuar me 2 vite burg edhe Agim Ceka pasi në servisin ku do të shkonte mjeti u gjet një armë pa leje. Pas zbulimit të shumës së eurove në vitin 2018, fillimisht të gjithë u hetuan për pastrim parash dhe grup i strukturuar kriminal, por Gjykata dënoi vetëm Vladin si pronar të vetëm të shumës së parave. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, ai u dënua me një vit burg.

Për dosjen, prokurorët Belgë morën në pyetje dhe kryetarin e Partisë Demokratike. Lulzim Basha iu përgjigj hetuesve në Prokurorinë e Posaçme, por në dalje u tregua i rezervuar. Për disa orë, kryedemokrati Basha dha shpjegime para prokurorëve belgë të cilët kanë mbërritur në Tiranë, lidhur me çështjen e “Toyota Yaris”, automjet brenda të cilit u gjetën 3.4 milionë euro.

Që prej vitit 2018, autoritetet belge kanë bërë tre pyetje specifike kryedemokratit, se si e mori vesh informacionin, kush ia dha dhe nëse ka ndonjë të dhënë tjetër lidhur me këtë çështje. Në qershor të vitit 2018, nga foltorja e parlamentit Basha tha se një automjet me para të padeklaruara po vinte nga Belgjika drejt Shqipërisë.

Për këtë deklaratë, hetuesit belgë sollën një letër-porosi për prokurorinë e Posaçme në të cilat kërkonin marrjen në pyetje te tij kjo edhe pasi deklaratat për mbërritjen e shumës së parave, u konfirmuan tre ditë më pas në portin e Durrësit, ku dhe u sekuestruan.

Autoritetet belge gjithashtu kërkuan të dinë nëse ekziston një dosje me dëshminë e Lulzim Bashës dhe nëse do t’i vendoset në dispozicion një kopje. Kjo pasi kreu i PD-së është pyetur edhe më parë në lidhje me ngjarjen nga Prokuroria e Tiranës në tetor të vitit 2018 por akuza arkivoi dosjen duke mos marrë asnjë vendim për të. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos