
Një 39-vjeçar është arrestuar nga Policia e Lezhës, në bashkëpunim me Forcën Speciale RENEA, pasi ishte i shpallur në kërkim për “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Policia publikoi edhe pamje nga operacioni i zhvilluar në fshatin Lalm, ku banonte i shumëkërkuari. Sipas autoriteteve, 39-vjeçari, me iniciale E.P., ishte i dënuar më parë në shtetin grek, për vrasje, ndërsa në Shqipëri, për armëmbajtje pa leje dhe shkatërrim prone.
Gjatë kontrollit të banesës së tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri kallashnikov, municion luftarak dhe një sasi baruti. “Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Lezhë ka lëshuar urdhërndalimi, për veprat penale "Vrasja në rrethana të tjera cilësuese", kryer në bashkëpunim dhe "Armëmbajtja pa leje", sepse dyshohet që në bashkëpunim me vëllain e tij, shtetasin A. P. (i arrestuar me parë), kanë vrarë me armë zjarri shtetasit K. M. dhe P. S”.
Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)