
Gjykata për Krimet e Rënda liron nga qelitë e paraburgimit të pandehurit e dosjes "Toyota Yaris". Togat e zeza ndryshuan masën e sigurisë "arrest ne burg" në "arrest shtëpie" për shkak të përfundimit të afateve ligjore të paraburgimit.
Masa është lehtësuar për të dyshuarit Alban Mollaymeri, Edi Lika dhe Klevi Cani, ndërsa Agim Ceka ishte liruar më herët.
Në 29 tetor, Gjykata për Krimet e Rënda ktheu për hetime të mëtejshme dosjen në ngarkim të të arrestuarve dhe te shpallurve në kërkim Alfred e Elvis Vladi, të akuzuar për sjelljen në Shqipëri të 3,4 mln eurove me “Toyotat Yaris”.Gjykata refuzoi kërkesën e prokurorisë për kalimin e çështjes në gjyq.
Për çështjen e futjes në Shqipëri të 3,4 milionë eurove është marrë në pyetje edhe kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha. Intervista e tij në Prokurori është ndjekur edhe nga 4 prokurorë belgë, të cilët donin të mësonin se si ka marrë ai informacionin për eurot që do të hynin në Shqipëri dhe kush ia kishte dhënë këtë informacion, pasi ai paralajmëroi në atë kohë kapjen e një sasie të madhe eurosh që vinin të fshehura në një makinë nga foltorja e Kuvendit. Sipas Bashës, i përfshirë në këtë çështje është kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla. (A2 Televizion)