Draft-opinioni i Venecias, Krasniqi: Vjen në fushatë zgjedhore, palët kanë marrë nga një shuplakë dhe një përgëzim

Nga A2 CNN
2 Dhjetor 2020, 21:58 | Politikë
Draft-opinioni i Venecias, Krasniqi: Vjen në fushatë zgjedhore,

Draft-opinioni i Komisionit të Venecias, që në mënyrë jozyrtare ka qarkulluar ditën e sotme, po shkakton interpretime të ndryshme.

Për analistin e A2 Afrim Krasniqi, “opinion i sotëm vjen në një moment që vendi është në fushatë elektorale, prandaj kemi të bëjmë me një opinion moderator. Por është edhe draft dhe sigurisht këtë javë palët do bëjnë lobim që të modifikohet diçka”.

Për të, “elementi kryesor është fakti që në thelb procesi i ndryshimeve kushtetuese ka qenë tepër i shpejtë dhe jo transparent, kjo është edhe pika më kritike e raportit, aty ku thuhet se në të ardhmen duhen evituar ndryshime të rëndësishme në mënyrë kaq të shpejtë dhe që pasojat mund të jenë të mëdha në rast rezultati të përafërt mes palëve. Elementët e tjerë janë pasojë dhe nuk prekin shqetësimet e vendit”.

Raporti nuk duket sikur jep një mendim mbi kushtetutshmërinë e ndryshimeve, por edhe për çështje të tjera delikate. “Do të kisha pritur një pjesë për administrimin zgjedhor, për financimin e partive, në lidhje me dekriminalizimin, por siç duket Venecia e ka gjykuar shkurt dhe qartë atë që kishin interes për t’i  dhënë mesazh Shqipërisë”.  

Sipas Krasniqit, “të gjithë aktorët kanë marrë nga një shuplakë dhe një përgëzim, kështu që secila palë do ta shfrytëzoi në fushatën zgjedhore por nuk do të jetë diçka që do të ndikojë në agjendën institucionale”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos