
Profesori dhe akademiku Artan Fuga, në një letër drejtuar kryetares së Kuvendit ka kërkuar që të bëhet pjesë e takimit me grupet e interesit kur të nisë shqyrtimi i Ligjit për Akademinë e Shkencave.
Lindita Nikolla mbështetur në rregulloren e Kuvendit e ka dhënë këtë garanci.
Fuga kërkon të arsyetojë mbi ato që i quan shkelje ligjore si dhe të bindë përmes kësaj dëgjese dy deputetët Ismet Beqiri dhe Petro Koçi që të tërhiqen nga amendamenti që i zgjat mandatit Skënder Gjinushit në krye të Akademisë së Shkencave.
Por deputeti Koçi, nënkryetar socialist i Komisionit të medias e ka quajtur këtë një përpjekje të kotë, ndërsa mohon se kryetarja e Kuvendit mund të vendosë kush do të dëgjohet apo jo në komision.
Artan Fuga reagoi pas këtij debati, duke i cilësuar qëndrimet e deputetit socialist frikë nga fjala e lirë e një akademiku dhe përpjekje për t’ia hequr pa gjyq të drejtat qytetare.
Ndërkohë në komisionin e medias, ku pritet të diskutohet Ligji për Akademinë, pritet të hidhen mbi tavolinë edhe shqetësimet e fundit të studiuesve të Albanologjisë, debat që sërish ka lidhje me Akademinë e Shkencave. (A2 Televizion)