Drama e familjes Lika, pa shtëpi e pa përkrahje, të harruar në Lavdar

Nga A2 CNN
29 Dhjetor 2019, 12:51 | Aktualitet

Të moshuar, të sëmurë, pa asnjë krah pune dhe pa përkrahje,  dhe tashmë prej gjashte muajsh edhe pa shtëpi. Kjo është drama e familjes Lika në fshatin Lavdar të Korçës. 

Banesa e tyre u dëmtua që në tërmetin e 1 qershorit por askush nuk i vuri dorë në të dhe më pas në 26 nëntor banesa e tyre u bë e pabanueshme. Kryeplaku i fshatit e strehoi çiftin e të moshuarve dhe djalin e tyre të sëmurë në një banesë tjetër në fshat, pronarët e të cilës jetojnë jashtë shtetit.

Pëllum Lika

Por edhe aty kjo familje vetëm me të ardhurat e pensionit dhe pa asnjë përkrahje për sëmundjet dhe pamundësitë e tyre për të lëvizur dhe madje për të parë, e ka mjaft të vështirë të jetojë. Madje ata e kanë mjaft të vështirë edhe të përshkruajnë gjendjen e tyre.

 “Unë nuk shoh. Më kanë thënë se kanë rënë muret e shtëpisë, nuk mund të banohet fare. Unë jam i verbër, nuk ecë. Nuk më kanë dhënë as shoqërues asgjë, as nuk dimë si të flasim me ato të Bashkisë”, thotë kryefamiljari Pëllum Lika, që dergjet në shtrat.  

Kryeplaku i Lavdarit, Xhevdet Fira

Ndërsa Xhenani, bashkëshortja e Pëllumbit, tregon sorollatjet në zyra për të siguruar një përkrahje ose shoqërues për të shoqin, ndërsa për djalin e sëmurë nuk merr asgjë. “Ka 8 muaj që kemi bërë dokumentet, asgjë për KEMP-in”, shton ajo.   

Lënien në harresë të kësaj familje e pranon edhe kryeplaku i fshatit Lavdar, Xhevdet Firaj. “Kam tentuar të flas me kryetarin por ndoshta ai i harron këto gjera, se për vete është mirë. Nuk erdhën as kuvertat dhe batanijet, ku rra tërmeti”, thotë kryeplaku.

Xhenan Lika

E ndërsa kjo familje po përpiqet të sigurojë mbijetesën, festat e fundvitit janë një luks i tepruar për ta. “Si të ndihem unë, si mos më keq. Pa shtëpi, pas gjithë asaj pune. Ç’të bëjmë, na zuri, do ta heqim”, ul kokën zonja Xhenan. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos