
Kjo është familja e Kujtim Tushës me tre invalidë tetra e paraplegjik. Kujtimi është i vetmi që kujdeset për tre anëtarët e familjes së tij, bashkëshorten dhe dy djemtë.
Në kushte të mjerueshme ekonomike e i zhytur në skamje, ai ka ardhur nga fshati Simon, vetëm për një qëllim, për të pasur shërbimet shëndetësore më afër. Por edhe në Kukës, nuk po arrin dot të përballojë dot jetesën dhe mjekimin e familjarëve të tij.
Shteti i jep rreth 300 mijë lekë të vjetra ndihmë për familjarët e paralizuar. Nga këto, 110 mijë lekë i duhen për të paguar qiranë e apartamentit ku jeton, pasi bashkia nuk i ka mundësuar një strehë.
Ka trokitur derë më derë për të gjetur mundësi e mbështetje në ndihmë të familjes, por pa mundur të gjejë zgjidhje.
E vetmja ndihmë i ka ardhur nga një qytetar nga Kosova me banim në Zvicër, i cili i ka falur një autoveturë familjare për të mundësuar transportimin e familjarëve për seancat e fizioterapisë ose drejt spitalit sipas nevojave.
E derisa dikush tjetër të ofrojë ndihmën bujare, kjo familje është e detyruar të mbijetojë në kushte të vështira, ekonomike dhe shëndetësore. (A2 Televizion)