Ndeshja e Ligue 2 në Francë mes Bordo dhe Rodez, e vlefshme për ditën e 38-të dhe të fundit të kampionatit, në të cilën skuadra e Bordo mund të kishte festuar rikthimin në ligë, është kthyer nga një festë e mundshme në makth.
Në fakt, fillimisht sfida u pezullua dhe më pas u ndërpre përfundimisht për shkak të gjestit të një tifozi të ekipit vendas, i cili u fut në fushë dhe goditi me grusht mesfushorin e ekipit kundërshtar Lucas Buadés.
Buadés po festonte me ngazëllim pasi shënoi golin që zhbollkoi sfidën, por pas grushtit të papritur që mori në fytyrë u rrëzua përtokë dhe qëndroi aty për më shumë se tre minuta, ndërsa arbitri, duke zbatuar rregulloren, fillimisht pezulloi ndeshjen duke i kthyer skuadrat përsëri në dhomat e zhveshjes.











Më pas duke konstatuar pamundësinë që mesfushori të mund të rikthehej në fushë, arbitri vendosi ta shpallë ndeshjen të mbyllur.
"Ai u godit dhunshëm”, shpjegoi gjyqtari, Nicolas Rainville. “Më thonë se ka pësuar një tronditje", shtoi ai.
Në fakt Buades, sipas asaj që ekipi i tij bëri të ditur më vonë, u dërgua në spital.
Bordeaux, pas mbledhjes së komisionit disiplinor të ligës të caktuar për të hënën më 5 qershor, me shumë gjasa do të humbasë ndeshjen me rezultatin 3-0 në tavolinë dhe do t'i thotë lamtumirë ëndrrës për t'u rikthyer në Ligue 1. (A2 Televizion)