
Kryeministri Rama iu përgjigj akuzave të opozitës që e cilësoi vrasje shtetërore ngjarjen ku një 32- vjeçar humbi jetën në duart e policisë. Kreu i qeverisë i quajti të pabazuara këto pretendime, ndërsa siguroi që organet ligjzbatuese po punojnë për zbardhjen e ngjarjes.
Në mënyrën më korrekte e dinjitoze policia e shtetit ka pezulluar personat, është ngarkuar agjencia përkatëse, që bën gjithë investimin, ëhstë mjekësia ligjore që bën punën e vet. Nuk ka shenja që të ketë pasur arsye nga jashtë që të ketë qenë ndonjë gjë e bërë me të keq.
Nuk ndan të njëjtin mendim kryetari i PD Sali Berisha i cili i mëshoi sërish akuzës për një vrasje të qëllimtë nga uniformat blu. “Patrulla e Policisë u vërsul drejt tij, e ndoqi e përndoqi dhe si përfundim e çoi të vdekur në komisariat. Asnjë rregull nuk është respektuar në hetimin e kësaj vrasjeje nuk ka vdekje natyrale për një të ri 32-vjeçar ka injorancë të kriminelëve që shpallin një gjë të tillë”.
Kryedemokrati flet për manipulim të provave dhe nuk heziton ta krahasojë ngjarjen me atë të Klodian Rashës, kur u tentua të ndryshohej ngjarja. “U vërsulën kriminelë të tjerë me uniformë, me në krye Ardi Veliun, për të falsifikuar dhe deformuar çdo të dhënë. U përsërit skenari i Klodian Rashës. Atëherë Ardi Veliu njoftoi se në një pellg u gjet një revole. Dje ai njoftoi se në stomak u gjet një qese plastike me kokainë. Iu vendos një qese me kokainë njësoj si revolja në pellg”.
Qëndrim të cilin kryeministri duket se e parapriu gjatë takimit në që zhvilloi në Elbasan. “E vrau policia e vrau policia, sepse duan ta lidhin në psikologjinë e njerëzve me atë tmerrin e madh që ishte në atë rast një tmerr i vërtetë i të ndjerit Klodian Rasha dhe duan t’i nxjerrin njerëzit rrugëve”.
Rama pati një përgjigje edhe për kërkesën e Berishës për dorëheqjen e ministrit të brendshëm. Një një postim në Twitter kreu i qeverisë i cilësoi si Hiena ata që sipas tij hedhin fajin tek policia e shtetit. (A2 Televizion)