
Lënia në pritje për disa ditë e kontenierit me banane të ardhur nga Ekuadori në Portin e Durrësit, ku u gjet 143 kg kokainë, ka ngjallur dyshimin kryesor për policinë për praninë e lëndëve të jashtëligjshme brenda tij.
Burime pranë prokurorisë së qytetit bregdetar konfirmuan për A2 se kontenieri ka mbërritur në Durrës 10 ditë para së shtunës, kur u finalizua operacioni “Il Mejor” dhe se nuk ka pasur informacion të mëparshëm në lidhje me të.
Pasi është shkarkuar nga anija ai ka qëndruar tetë ditë në pritje, derisa është paraqitur një prej administratorëve të kompanisë “Masabifruit” për tërheqjen. Referuar faktit se kontenieri transportonte produktu shqimor dhe se në raste të ngjashme shoqëritë pritësë kanë interes ti tërheqin sa më shpejt, lënia një javë në “harresë” e tij, ka nxitur kontrollorët ta kalojnë në kontroll të imtësishëm.
Pas sinjalit të kuq në skaner, në praninë e administatorit Klajdi Xibraku, policia hapi tavanin e tij, ku u gjet edhe sasia e drogës, me pako ku kishte të printuar foto të Pablo Eskobar, ish-bosit kolumbian të kokainës dhe logoja “El mejor”, në shqip, më e mira.
Deri më tani për llogari të hetimit, që po mbikqyret edhe nga SPAK, të arrestuar janë dy administratorët e kompanisë pritëse, Klajdi Xibraku dhe Erjon Peti. Pas prangosjes ata nuk kanë pranuar të japin deklarime, duke rezervuar të drejtën për një moment të dytë.
Burime pranë prokurorisë së Durrësit, bënë me dije se,referuar sasisë së madhe të drogës dhe vonesës në tërheqjen e saj, ka dyshime për persona të tjetë të pëfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Ndërkohë janë sekuestruar telefonat celularë të dy të arrestuarve dhe regjistrat e shoqërisë së tyre, që priste për të disatën herë ngarkesa bananes nga Ekuadori. (A2 Televizion)