
“Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, duhet të japë dorëheqjen”. Deklarata vjen nga Laris Gaiser, gazetari i medias “La Verita” që publikoi përgjimet në të cilat ishte përfshirë Prokurorja Speciale, Katica Janeva.
Shefi i qeverisë së Shkupit, por edhe Janeva mohojnë çdo përfshirje në rastin “Zhvatja”, që ka të bëjë me marrjen e ryshfeteve për të mbyllur apo ulur dënimet për raste korrupsioni.
Gazetari Gaiser, në një intervistë për radion sllovene “Capodistria”, thotë se qeverisja e Zaevit po merr fund. “Jam i sigurt se Zaevi është në fund të karrierës së tij dhe se është çështje kohe që Kuvendi dhe Presidenti të ftillohen se do të jetë më mirë që të shkarkohet, që të keni një përfaqësues ndërkombëtar më funksional, sepse për momentin Zaevi paraqet problem dhe se nuk mund ta prezantojë Maqedoninë e Veriut”, shprehet gazetari Gaiser.
Për tejkalimin e krizës, ai sugjeron zgjedhje të parakohshme parlamentare ose formimin e një ekzekutivi të ri pa Zaevin pjesë të tij.
Gaiser i përgjigjet dhe dyshimeve të ngritura ndaj tij se është një person i paguar nga Nikola Gruevski dhe kryeministri hungarez, Viktor Orban. Gazetari thotë se është e vërtetë që ka njohur disa persona të afërt me Gruevskin, por mohon çdo bashkëpunim me ta dhe përmend si provë shkrimet e mëparshme kundër tij. (A2 Televizion)