Duhet të ishte në “arrest shtëpie”, policët gjejnë shkodranin te kafja e lagjes dhe e çojnë në burg

Nga A2 CNN
26 Prill 2023, 15:41 | Kronikë
Duhet të ishte në “arrest shtëpie”, policët

Policia e Shkodrës ka vënë në pranga një 46-vjeçar nga ky qytet, i cili është kapur në flagrancë nga efektivët në një lokal, ndërsa normalisht duhet të ishte në banesë, duke vuajtur “arrestin e shtëpisë”, të caktuar disa kohë më parë nga Gjykata e Sarandës.

45-vjeçari kishte transportuar 11 emigrantë, për kalim të paligjshëm të kufirit e për këtë ishte dënuar nga Gjykata e Sarandës për veprën penale "Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve".

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të DVP Shkodër, arrestuan shtetasin Gj. Sh., 46 vjeç, banues në Shkodër, pasi u kap në ambientet e një lokali në lagjen “Skënderbeg” dhe pas verifikimeve të kryera në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Sarandë, rezultoi se kishte thyer masën e sigurisë "Arrest në shtëpi", të caktuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprën penale "Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve". 46-vjeçari u kap më datë 15.04.2023, nga shërbimet e Policisë Kufitare të Sarandës, në aksin rrugor “Sorone-Xarrë”, teksa transportonte kundrejt fitimit, 11 emigrantë, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale "Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit".”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shkodrës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos