“Duhet të kërkojnë falje”, Krasniqi komenton shtyrjen e afatit të vetting-ut

Nga A2 CNN
21 Tetor 2021, 21:34 | Politikë
“Duhet të kërkojnë falje”, Krasniqi komenton shtyrjen

Studiuesi Afrim Krasniqi komentoi në “Absolut 4” shtyrjen e afatit të vetting-ut, duke theksuar se “ata që kanë bërë Reformën në Drejtësi dhe kanë premtuar afate e standarde, duhet të kërkojnë falje, pasi nuk janë përmbushur premtimet”.

“Të njëjtët, sot thonë që kanë gabuar, por do ta shtyjnë edhe ca vite. Askush nuk e di nëse pas dy vitesh do të përfundojë, askush nuk na jep garanci, por është thjesht një rekomandim ndërkombëtar. Politikanët janë për të mbajtur përgjegjësi dhe Kushtetuta nuk mund të ndryshohet sa herë që gjërat shkojnë keq. Duhet të pranojnë që kanë dështuar me dy strukturat që u ngritën. Gjersa u tha se vetting-u do të realizohet brenda 5 viteve me anë të dy strukturave të para, duhet të pranojnë që ka dështuar kjo formulë”, u shpreh Krasniqi.

“Duhet të mbrojmë gjërat e mira të Reformës në Drejtësi dhe mos ta kthejmë në lojë politike sepse po u kthye në lojë politike, çdo debat e dobëson atë. Reforma duhet bërë, por edhe faktori ndërkombëtar na ka një detyrim publik, ata duhet të na thonë pse na rekomanduan para 5 vitesh këtë formulë, a ka konflikt interesi mes strukturës së monitorimit ndërkombëtar dhe propozimit të tyre për të zgjatur edhe mandatin e tyre dhe çfarë do të ndodhë me hyrjet në sistem”, shtoi Krasniqi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos