Mandati i Elda Hotit të PD, ankesa në KQZ: I ati me të shkuar kriminale ndryshoi emër, nuk e deklaroi

Nga A2 CNN
21 Tetor 2021, 15:22 | Politikë
Mandati i Elda Hotit të PD, ankesa në KQZ: I ati me të shkuar

Një shkresë e pazakontë është paraqitur në adresën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Një qytetar i Kurbinit i kërkon institucionit ndërprerjen e mandatit të deputetes së PD-së, Elda Hoti. Sipas ankuesit, ajo ka fshehur ndryshimin e emrit të babait, si pjesë e gjeneraliteteve të deputetës, duke fshehur të shkuarën kriminale të prindit të saj.

Në dyert e KQZ-së, është dorëzuar një kërkesë ku kërkohet ndërprerja e mandatit të deputetes së PD-së në qarkun Lezhë, Elda Hoti. Denoncuesi është Llesh Nikolli, i cili së bashku me kërkesën ka paraqitur edhe fotokopjen e regjistrit ku pretendon se Elda Hoti nuk ka deklaruar në KQZ ndryshimin e emrit që ka bërë babai i saj nga David në Artan Hoti. Sipas denoncuesit, babai i deputetes ka qenë i përfshirë në veprimtari kriminale.

“Kjo deputete përse e ka fshehur këtë ndryshim, e ka harruar, apo babai i saj ka pasur një të shkuar kriminale ku është dënuar për disa vepra penale të rënda, si ajo e trafikimit të lëndëve narkotike, ushtrim dhe trafikim të qenieve njerëzore”.

Firmëtari shpjegon se atësia është pjesë e gjeneraliteteve që identifikojnë deputeten, ndaj çdo ndryshim duhet deklaruar sipas ligjit për dekriminalizimin. I shqetësuar se deputetja Elda Hoti nuk mund të përfaqësojë komunitetin e Kurbinit, ankuesi Llesh Nikolli kërkon ndërprerjen e mandatit të saj.

“Ky ndryshim është bërë me datë 30.04.2002 dhe kandidatja për deputete, Elda Hoti nuk e ka deklaruar në formularin e vetëdeklarimit. Duke fshehur këtë të dhënë të gjeneralitetit të saj, ndryshimin e emrit të babait, deputetja nuk mund të përfaqësojë komunitetin në parlamentin shqiptar. Ne si komunitet duam njerëz dinjitozë, me figurë të pastër që të ulen në foltoren e parlamentit dhe të përfaqësojnë me ndershmëri dhe devotshmëri interesat tona”.

Elda Hoti hyri në Parlament pas dorëheqjes së Mark Markut. KQZ-ja pritet të vihet në lëvizje për të verifikuar pretendimet dhe për të vendosur, nëse deputetja opozitare është në kushtet e ndërprerjes së mandatit apo jo. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos