
Manastirliu në “Absolut 4”: Kaluam 300 mijë vaksinime. Spitalet Covid do të qëndrojnë në gatishmëri
Ministrja e Shëndetësisë, njëkohësisht dhe kandidatja për deputete e Partisë Socialiste për qarkun e Tiranës, Ogerta Manastirliu ishte e ftuar në “Absolut 4”, ku bëri një përmbledhje të situatës në vendin me pandeminë e koronavirusit.
Sipas Manastirliu, situata epidemiologjike në vendin tonë aktualisht është e qëndrueshme kjo falë masave të ndërmarra dhe nisjes së fushatës së vaksinimit masiv. (për më shumë)
“Punonjësit e shëndetësisë kanë marrë të dyja dozat”, Manastirliu: Ka pasur infektime të rralla pas dozës së parë
Në Absolut 4, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, foli për situatën e pandemisë në vendin tonë, por edhe për procesin e vaksinimit.
Manastirliu theksoi se këtë të enjte ka kaluar shifra e 300 mijë të vaksinuarve në të gjithë vendin, ndërsa bëri të ditur se punonjësit shëndetësorë kanë marrë të gjithë të dyja dozat. (për më shumë)
A do të votojnë të infektuarit me Covid më 25 prill? Manastirliu: Kjo vendimmarrje i përket KQZ
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu sqaroi në “Absolut 4” dhe çështjen se nëse do të votojnë të infektuarit me koronavirus më 25 prill, që sipas të dhënave raportohet të jenë mbi 27 mijë.
Kjo çështje sipas ministres është duke u diskutuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe nëse do të ketë një vendimmarrje, ministria dhe ISHP do të hartojnë protokollet që ky proces të zhvillohet në mënyrën e duhur. (për më shumë)
Manastirliu: PS ka respektuar masat anti-covid, kush mban përgjegjësi për grumbullimet e PD?
Fushata zgjedhore në Shqipëri po ndërthuret gjithmonë e më shumë me masat parandaluese të pandemisë. Ministrja Ogerta Manastirliu, e ftuar në Absolut 4, deklaroi se “kurba epidemike ka shumë të panjohura. Në vende të tjera ku ka pasur fushata elektorale, edhe në Kosovë, ka pasur rritje të infektimeve”.
Sipas ministres, zbatimi i protokolleve nuk ka ndodhur nga opozita. “Shpresojmë që të mos kemi rritje të infektimeve. Ndërkohë, me opozitën kemi grumbullime të vazhdueshme që mund të bëhen shkas për rritjen e infektimeve, dhe kush do të mbajë përgjegjësi më pas?”, thotë ministrja. (për më shumë)
Ministrja e Shëndetësisë tregon në “Absolut 4” përse nuk e ka marrë ende vaksinën
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka zbuluar në emisionin “Absolut 4” me gazetaren Merita Haklaj se nuk e ka marrë ende vaksinën kundër koronavirusit.
Manastirliu u shpreh se do bëjë vaksinën kur t’i vijë radha sipas grupmoshës dhe nuk ka preferencë për llojin e saj, por do të aplikojë kë do të jetë e disponueshme. (për më shumë)
Fushata tjetër e Manastirliut, nga përfshirja e Najada Çomos në politikë, tek angazhimi në Njësinë 9
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, përveç situatës së pandemisë dhe fushatës së vaksinimit, foli në Absolut 4 edhe për fushatën e zgjedhjeve të 25 prillit, ku ajo është e katërta në listën e Partisë Socialiste në Tiranë.
Manastirliu u shpreh se qytetarët kërkojnë që të vijojë puna e nisur gjatë këtyre 8 viteve qeverisjeje. “Si tërmeti dhe pandemia nuk i solli qeveria. Tërmeti ishte një fatkeqësi natyrore, pandemia një armik i padukshëm në të gjithë botën, që ka vendosur në krizë shëndetësore të gjitha vendet në botë. Punët përgjatë periudhës së vështirë nuk janë ndalur asnjëherë. (për më shumë)
Manastirliu për “pasaportat” e vaksinimit: Nuk do ketë vaksina të penalizuara, nuk do të kishte sens
Nuk janë pak të shqetësuarit që krijimi i një pasaporte vaksinimi mund të penalizojë në lëvizjet jashtë shtetit, por ministrja e Shëndetësisë në Absolut 4 mundohet të qetësojë mbi këtë mundësi.
“Deri me tani pasaporta e vaksinimit është një projekt, ka shumë mendime dhe debate për benefitet dhe penalitetet, me efektet diskriminuese të mundshme, nga momenti që shumë vende nuk e kanë filluar fushatën e vaksinimit. Duhet të presim, por nuk ka asnjë penalizim mbi vaksinat, pra çdo vaksinë është efektive dhe nuk besoj se do të ketë asnjëherë barrierë me emra vaksinash, do të ishte pa sens”, deklaroi ministrja. (për më shumë)
Bashkëpunim Rama-Basha? Andoni tregon se si mund të ndodhë
Në emisionin “Absolut 4” në A2 është diskutuar dhe ftesa që i bëri ditët e fundit kryeministri Edi Rama kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha për një bashkëpunim të mundshëm pas zgjedhjeve të 25 prillit, me kushtin e vetëm që të ndahet nga Berisha dhe Meta.
Për analistin Ben Andoni një bashkëpunim i tillë nuk është i pamundur, por kjo gjë duhet parë më 26 prill, nëse diferencat mes dy partive do të jenë shumë e ngushtë.
“Ky është një lloj shkarkimi i ideve që kanë dy liderët. Ajo që më ka shqetësuar në këtë fushatë është që ka një reshtje të ideve. Kanë reshtur shumë shpejt edhe pse ky vit iu dha mundësinë që të mund të elaboronin gjëra shumë më interesante për vendin tonë. Personalisht këtë ide e kam parë që para një viti e gjysmë, ku jam shprehur se është i mundur afrimi. Por që të bëhet një afrim i tillë më duket se nuk është i sinqertë nga kryeministri Rama dhe ka një lloj paqartësie dhe nga zoti Basha për një arsye të thjeshtë. (për më shumë)
Vurmo: Bashkëpunimi Rama-Basha nevojitej 2 vite më parë, tani është diversion i kryeministrit
Gjergji Vurmo nga IDM Albania komentoi në “Absolut 4” mundësinë e një marrëveshje mes kreut të mazhorancës, Edi Rama dhe atij të opozitës, Lulzim Basha.
Për Vurmon, deklarata e një dite më parë e kryeministrit Rama, i cili la të hapur mundësinë e bashkëpunimit me Bashën, ishte për të fituar votuesit e pavendosur.
“Unë mendoj se Rama i flet votuesve të pavendosur, të cilët ose e kanë ndarë mendjen për të votuar ose janë pranë. Zakonisht, kjo fashë votuesish nuk shkon të votojë partinë në pushtet, por opozitën”. (për më shumë)
Kalemaj: Oferta e Ramës ndaj PD e pasinqertë, por funksionoi në 2017, përçau opozitën
Analisti Ilir Kalemaj e cilëson si të pasinqertë ofertën e kryeministrit Edi Rama për liderin opozitar Lulzim Basha.
“Më duket ofertë e pasinqertë politike në formë provokimi, është një déjà vu i marrëveshjes të 2017. Është hera e tretë që i jep afatin e 24 orëve, për të demoralizuar votuesin e PD. Kjo teknikë funksionoi në 2017, dhe shkaktoi çarje në koalicionin opozitar, veçanërisht midis PD dhe PSI, që kanë krijuar një koalicion edhe pse me dy lista të ndryshme.
“E dëgjova me kujdes Ramën, dhe ai tha se oferta vlen vetëm në qoftë se fitojmë ne, pra kjo ka edhe një kleçke juridike, dhe kanë filluar konstitucionalistët të debatojnë se kush ka të drejtën e qeverisjes, partia e parë apo koalicioni. Natyrisht zgjidhja më e mirë do të ishte ajo teknike, që do të zbuste tonet”. Për sa i përket figurës së presidentit Meta Kalemaj tha se “në qoftë se një danez do të shihte sjelljen e presidentit, do ta cilësonte si të papranueshme. Por ne nuk kemi ende një shtet të së drejtës, nuk jemi demokraci e konsoliduar, jemi larg në anëtarësimin”. (për më shumë)
(A2 Televizion)