Dy ndeshjet e fundit të javës së 27, sot Laçi–Partizani dhe Vllaznia-Kastrioti

Nga A2 CNN
4 Prill 2022, 10:32 | Futboll
Dy ndeshjet e fundit të javës së 27, sot

Kjo e hënë mbyll dhe javën e 27 të Kategorisë Superiore, me dy ndeshje të forta. Vëmendje maksimale shkon padyshim te sfida, Partizani-Laci ku secila skuadër do të luftojë për objektivin sezonal.

Të kuqtë e Dritan Mehmetit nuk po kalojnë një formë të mirë, kjo pasi nëse do t’i referohemi statistikave, në 5 ndeshjet e fundit regjistrojnë vetëm një fitore, shumë larg asaj çfarë tifozët presin.

Mirëpo siç e theksoi dhe tekniku Mehmeti, në prag të sfidës, fitorja për kryeqytetasit është një detyrim nëse duan të arrijnë një vend në Kupat e Europës.

Edhe Laçi nuk është ajo skuadër e dy fazave të para. Kurbinasit kanë humbur thuajse çdo shpresë për të rivalizuar Tiranën, megjithatë për sa kohë matematika ia lejon, skuadra e Mirel Josës do të provojë deri në fund për t’u afruar.

Dueli i fundit është ai mes Vllaznisë dhe Kastriotit. Një ndeshje jo shumë të lehtë në letër për shkodranët që përballen me krutanët, një ekip që i ka hapur jo pak probleme skuadrave të mëdha. Megjithatë, nëse kuqeblutë duan të blindojnë vendin e katërt, fitorja është detyrim.

Kështu është shprehur dhe trajner Plori, i cili në prag të ndeshjes i dha zemër skuadrës kur tha se objektivi i Kupave të Evropës mund të arrihet. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos