
Protesta e së shtunës para Kryeministrisë kundër rritjes së çmimit të karburantit dhe produkteve ushqimore, nuk i ngjante atyre të mbajtura për tre ditë me radhë.
Kjo, jo vetëm se u parapri nga një marshim prej sheshit “Skënderbej”, por për shkak të një numri të pazakontë pjesëmarrësish në një protestë që nuk ishte thirrur nga ndonjë parti politike.
Policia kishte marrë masa të shtuara, por protesta u zhvillua paqësisht dhe gjatë saj nuk u shënua asnjë incident.
I pavlerë doli blindimi i dyerve të Kryeministrisë me veshje metalike, si edhe zhvendosja e kërpudhës. Pas gati 2 orë e 20 minuta, protesta përfundoi, por një grup protestuesish marshuan drejt Drejtorisë së Policisë, duke kërkuar lirimin e të arrestuarve në protestat e tre ditëve të kaluara. Lëvizja e tyre bllokoi për disa minuta lëvizjen në rrugën “Myslym Shyri”.
Thuajse 3 orë e 30 minuta nga nisja e saj, protesta e së shtunës u mbyll, duke i lënë vend qarkullimit normal të mjeteve dhe protestës së radhës, të njoftuar të dielën, në orën 11:00. (A2 Televizion)