
Në Kuvend u depozitua një tjetër projektligj për lustracionin, shoqëruar me firma demokratësh. Një muaj pas draftit të dorëzuar në emër të PD-së nga Oerd Bylykbashi, edhe grupimi Alibeaj paraqiti propozimin e vet, përmes deputetit Kreshnik Çollaku.
“Nëpërmjet një kuadri ligjor të detajuar synon që të mbrojë institucionet e brishta shqiptare nga individë, të cilët në të kaluarën e tyre kanë qenë të angazhuar në strukturat e larta drejtuese të regjimit totalitar komunist apo ish-Sigurimin e Shtetit. Kjo mbrojtje realizohet nëpërmjet shkarkimit nga detyra, në rastet kur personat janë të zgjedhur apo emëruar në detyrë, apo ndalimit të zgjedhjes apo emërimit, kur ata janë duke u përpjekur të zënë një funksion të caktuar publik”, tha Çollaku.
Çollaku tregoi disa nga përshtatjet që janë bërë në këtë projektligj duke marrë parasysh jo vetëm vendimin e vitit 2010 të Gjykatës Kushtetuese, por edhe sugjerimet e Komisionit të Venecias për lustracionin.
“Një risi është fakti që funksionari gëzon të drejtën që të tërhiqet nga funksioni dhe rasti i tij të mos bëhet publik. Çdo funksionari apo kandidati i garantohet e drejta për t’u njohur me materialet e dosjes së tij, për t’i kundërshtuar gjetjet paraprake kur e vlerëson të arsyeshme për të bërë kundërshtimin e tij në gjykatë”.
Në projektligj është përcaktuar se verifikimi kryhet nga Autoriteti i Dosjeve ndërsa efektet e tij shtrihen deri në 1 janar 2037. (A2 Televizion)