
Sali Berisha akuzoi kryeministrin Rama se veproi si ultranacionalist serb me fjalimin e tij në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, ku kërkoi ndryshimin e rezolutës së Dick Marty-t, e cila akuzonte Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si të përfshirë në trafik organesh njerëzore. Në një deklaratë për mediat, kreu i selisë blu tha se dëmtoi interesin kombëtar.
“Rama shpalli aktin madhor të tradhtisë ndaj Kosovës pas Enver Hoxhës. Shpalosi tezën serbe të kombit kosovar. Enver Hoxha vërtet e la nën pushtimin jugosllav, por nuk foli për kombin kosovar. Beogradi promovoi tezën e kombit kosovar e shqiptar, ku shqiptarët e Kosovës janë për t’u zhdukur dhe shqiptarët e Shqipërisë janë për t’u respektuar. Me këtë tezë promovon zhdukjen e kombit kosovar”, u shpreh Berisha.
Berisha shkoi dhe më tej, duke e akuzuar Ramën për thikë pas shpine ndaj Kosovës.
“Edi Rama i futi thikën Kosovën në momentin më të papërshtatshëm, pikërisht kurajo kishte nevojë për lobim pozitiv për anëtarësim në Këshillin e Europës, ai në sallën e këtij tempulli, lëshoi lumë sharjesh e akuzash të padëgjuara në gjithë ekzistencën e atij institucioni. I bëj thirrje KiE që të votojë Kosovën si anëtare të re dhe të mos ndikohet nga retorika që është në mision kundër kombit të vet”, përfundoi.
Akuzave të opozitës i është përgjigjur vetë Rama, i cili nëpërmjet një postimi në Twitter iu rikthye çështjes së financimeve ruse.
“Rublat vazhdojnë të flasin mbrapsht në Tiranë, siç folën në 2011 përmes votës KUNDËR Kosovës, e vetë Shqipërisë dhe pro rezolutës famëkeqe, që lemerisi botën me shkulësit e organeve shqiptarë! Opozita e rublave është e zhytur shumë më thellë se sa duket në thesin e parave ruse“, shkroi Rama. (A2 Televizion)