Dy persona janë arrestuar në Tiranë, në zonën pranë rrethrrotullimit të Sanatoriumit, pasi gjatë kontrollit në makinën e tyre u gjet një armë snajper.
Në pranga përfunduan R. R., 39 vjeç, banues në Tiranë; E. H., 28 vjeç, banues në Laknas, me precedent të mëparshëm penal në fushën e vjedhjes. Policia tha se, përveç armës snajper, gjatë kontrollit në automjetin me drejtues shtetasin R. R. dhe pasagjer shtetasin E. H., u gjetën dhe sekuestruan edhe targa të huaja, një mjet identifikimi ai ato të Policisë dhe një pult për hapjen dhe mbylljen e targave të mjetit.
Në vijim të kontrollit, në banesat e këtyre shtetasve, u gjetën një armë zjarri pistoletë, dy palë dylbi dhe municion luftarak, të cilat u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprat penale "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit" dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”. (A2 Televizion)