
Dy vite nga zgjedhjet vendore, rrjeta e dekriminalizimit vijon të nxjerrë në pah të shkuarën e errët të disa kryebashkiakëve.
Rasti më i fundit është ai i kryetarit të Bashkisë Mallakastër ku nga verifikimi i prokurorisë, rezulton të jetë i dënuar me tri vite heqje lirie në shtetin grek, dënim të cilin ai nuk e ka deklaruar në formularin e tij të dekriminalizimit.
Aktualisht, dy bashki të vendit nuk kanë kryetar për shkak se drejtuesit përkatës ranë në rrjetën e dekriminalizimit.
Valdrin Pjetri i cili do të ishte kryebashkiaku i parë socialist në Shkodër, dha dorëheqjen pa marrë ende detyrën, për shkak të problemeve me drejtësinë Italiane që opozita zbuloi dhe denoncoi.
I dyti që humbi mandatin ishte Agim Kajmaku. Një vit pasi kishte marrë drejtimin e Bashkisë Vorë, bastion i së djathtës, prokuroria verifikoi se ai ishte nën hetim në shtetin grek për përdorim të kartmonedhave false. Mosdeklarimi i kësaj i kushtoi atij mandatin e të zgjedhurit vendor dhe aktualisht nuk ka larë ende hesapet me drejtësinë shqiptare.
Tri vakanca të tjera janë krijuar në njësitë e qeverisjes vendore. Dionis Imeraj i Bashkisë Dibër dha dorëheqjen pasi zgjodhi ta përfaqësonte qytetin nën kostumin e deputetit duke garuar në listën e Partisë Socialiste.
Valbona Sako që zëvendësoi VangjushDakon në krye të Bashkisë Durrës, dha dorëheqjen pak ditë pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 që shkundi nga themelet qytetin bregdetar.
Ndërsa Bashkia e Rrogozhinës mbeti pa kryetar pasi Haxhi Memolla humbi jetën pas një arresti kardiak.
Që të gjitha këto bashki drejtohen nga nënkryetarët, përveç Shkodrës ku Voltana Ademi vijon të ushtrojë funksionin e kryetarit përtej mandatit kushtetues 4-vjeçar.
Për t’i dhënë zgjidhje këtij ngërçi përfaqësimi në pushtetin vendor, Ilir Meta refuzon të dekretojë zgjedhjet e pjesshme.
Gjykata Kushtetuese preferoi të mos i përgjigjej vetë pyetjes nëse 30 qershori 2019, ku në gjysmën e bashkive pati vetëm një kandidat në fletën e votimit, ishte legjitim apo jo. Topin ia kaloi edhe një herë Komisionit të Venecias, që prej dy vjetësh ka shprehur vlerësimin se zgjedhjet nuk anulohen nëse një parti, sado e rëndësishme, i bojkoton ato. (A2 Televizion)