
Masa shtesë sigurie janë marrë në spitalin e burgut ku po qëndron aktualisht për trajtim mjekësor Dritan Dajti, një nga emrat e njohur të botës së krimit.
Sipas burimeve për A2, dy shkresa kanë mbërritur nga Shërbimi Informativ në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë ku flitet për një dyshim rreth një plani për arratisjen e Dritan Dajtit, i dënuar me 25 vite burg për vrasjen e 4 efektivëve të policisë.
Për këtë arsye, në ambientet e spitalit të burgut janë shtuar efektivët e policisë si dhe civilët që ruajnë ambientet e jashtme të tij.
Dritan Dajti u dërgua dy javë më parë në spital pasi dyshohej se ishte infektuar me koronavirus, ndërsa në këto momente po qëndron në spitalin e burgut. (A2 Televizion)