
61-vjeçari Jani Kallajxhi, i cili u arrestua të premten e javës së shkuar i akuzuar se kishte ngacmuar seksualisht të bijën 8-vjeçare, është lënë në burg nga Gjykata e Korçës deri në përfundim të hetimeve, duke pranuar kërkesën e prokurorisë. Çështja do të gjykohet nga Seksioni i të Miturve në Gjykatën e Korçës.
Në seancë, 61-vjeçari i ka mohuar akuzat, duke thënë se nuk e ka ngacmuar të bijën. “Unë jam kujdesur për vajzën pasi bashkëshorten e kam të sëmurë”, mësohet të ketë thënë ai. Kallajxhiu ka deklaruar gjithashtu se ka dyshime që vajzën ia kanë abuzuar persona të tjerë. Ai ka deklaruar që vajzën ia kishte marrë para disa ditësh pronari i një lokali, me bashkëshorten e tij, sepse donin t’i bënin një surprizë. “Kam dyshime që ata mund ta kenë ngacmuar vajzën”, mësohet të ketë thënë ai para gjykatës.
Kallajxhi ka deklaruar gjithashtu që ka kërkuar ndihmë nga bashkia, prefekti dhe shoqata të ndryshme për ushqime, dhe për ta çuar vajzën në Tiranë, pasi është e sëmurë.
Por pavarësisht pretendimeve të tij, burime zyrtare nga Prokuroria e Korçës thonë se deklaratat e 61-vjeçarit për përfshirjen e personave të tjerë janë vetëm një alibi. I vetmi person i vënë nën akuzë për ngacmimin e vajzës, dokumentuar me prova filmike dhe dëshmi, është babai i saj. (A2 Televizion)